Dhjetëra nxënës shqiptarë dhe disa profesorë të shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov”, në Shkup, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Toksikologjisë mbrëmjen e së mërkurës, për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe djegieve të syve dhe fytit.

Disa nga nxënësit thonë se janë helmuar nga një person, i cili ka hedhur gaz lotsjellës brenda objektit të shkollës.

Policia e ka konfirmuar këtë rast dhe, sipas informacioneve të para, gazin e kanë hedhur dy persona, të cilët më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Nga analizat e bëra, mjekët thanë se nuk kanë arritur të identifikojnë llojin e gazit. Ata informojnë se, gjendja e nxënësve është e qëndrueshme dhe shumica prej tyre kanë dalë nga spitali.

“Askush nuk ka ardhur në gjendje të rëndë, të gjitha rastet kanë qenë të lehta. Dua të them se, jo të gjithë nxënësit janë vetëm të një nacionaliteti; ka nxënës maqedonas, shqiptarë dhe boshnjakë. Unë mendoj se helmimi nuk ka prapavijë politike. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë, ne nuk e dimë, por sipas meje mendoj se bëhet fjalë për lojëra fëmijësh”, tha mjeku Nestor Popovski.

Menjëherë pas këtij rasti, nxënësit dhe profesorët janë vizituar nga ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi; nga kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski; si dhe drejtoresha e shkollës, Jovanka Asprovksa, të cilët janë interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Megjithatë, pas vizitës ata nuk kanë pranuar të flasin për incidentin e rëndë. Ndërkohë, një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme ka thënë se, ekipet e policisë po punojnë për zbardhjen e  ngjarjes, por nuk ka folur për shkaqet e incidentit.

Top Channel