Maqedoni, Prokurorja Speciale plotëson ekipin e saj prej 14 prokurorësh

30/09/2015 16:55

Prokurorja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, të mërkurën ka prezantuar listën e 14 prokurorëve të përzgjedhur me të cilët ajo do duhet të zgjidhë rastet që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike, të cilat incizime i posedon, dhe një pjesë të tyre i ka bërë publike, partia opozitare maqedonase LSDM. Në ekipin e Janevës bëjnë pjesë edhe katër prokurë publikë shqiptarë.

Pjesa më e madhe e prokurorëve të përzgjedhur nga Janeva janë të panjohur për opinionin publik dhe nuk kanë punuar në raste të mëdha.  

Ndër të përzgjedhurit e Janevës është edhe prokurorja Lile Stefanova, si e vetmja që vjen nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe e cila, para disa ditëve, ka hapur procedurën parahetuese për rastin “Maxhar Telekom”.

Afera lidhur me “Maxhar Telekomin” ka pasur jehonë të madhe në Maqedoni, ngaqë në të përfshihen edhe ish-kryeministri i vendit, Vllado Buçkovski si dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i afërt Musa Xhaferi, e të cilët, një nga dëshmitarët, i akuzon se kanë marrë ryshfet secili nga 2,5 milionë euro.

Top Channel