F1, Ecclestone u përgjigjet akuzave të dy skuderive

30/09/2015 00:00

Bernie Ecclestone reagon ndaj ankesave të dy skuderive, Sauber dhe Force India. Këto dy skuderi të F1 kërkuan që Bashkimi Europian të nisë hetimet për mënyrën e të vepruarit të drejtuesve të Formula 1, pasi – sipas tyre, – në këtë kampionat po mbizotëron konkurrenca e pandershme.

Force India dhe Sauber ankohen për mënyrën e shpërndarjes së shpërblimeve, duke theksuar se pjesën më të madhe të tyre e marrin Ferrari, Mercedes, Red Bull dhe Williams për shkak të historisë së tyre. Por jo vetëm kaq…

Drejtuesit e këtyre dy skuderive theksuan se, në Formula 1, ai që i vendos rregullat është grupi strategjik, duke lënë jashtë procesit të vendimmarrjes skuadrat e vogla. Ecclestone iu përgjigj këtyre akuzave duke deklaruar se, çdokush ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e rregullave.

“Nuk kemi inkurajuar apo detyruar ndokënd të bëjë ndonjë gjë – tha Ecclestone për “Autosport”. -Për këtë arsye është Bashkimi Europian. Skuderitë e vogla duhet të bëjnë kërkesat e tyre. Nëse kanë sukses, shumë mirë, ndërkohë që edhe në rast të kundërt, ato nuk humbasin asgjë”, tha bosi i Formula 1.

Britaniku Eccleston shtoi më pas se, nuk u vë faj skuderive të vogla për pakënaqësitë e tyre për ndarjen e shpërblimeve financiare, por drejtuesit e tyre e dinin mjaft mirë se çfarë do të ndodhte, në momentin kur vendosën të nënshkruanin kontratat e tyre, pasi gjithçka ishte e sqaruar mjaft mirë.

Top Channel