Kur arbitri u kundërpërgjigjet grushtave me armën e brezit

29/09/2015 00:00

Jemi mësuar shpesh me përplasje mes futbollistëve dhe gjyqtarëve, pas ndonjë vendimi qartësisht të padrejtë por edhe kur vendimet e tyre normale konsiderohen si të padrejta nga njëra palë në fushë.

Por në Brazil, reagimi i një arbitri gjatë një ndeshjeje amatore ka lënë të shtangur të gjithë. Ai ka nxjerrë armën e tij të brezit gjatë një grindjeje me lojtarët e një ekipi në fushë, e për këtë arsye tashmë do të përballet edhe me masa disiplinore.

Gabriel Murta, që siç bën të ditur Federata braziliane e Futbollit është oficer policie, është goditur dhe rrahur gjatë një ndeshjeje amatore të fundjavës në periferitë e Belo Horizontes, ndërkohë që trajneri i njërit prej ekipeve kishte hyrë në fushë për t’i kërkuar llogari arbitrit për mosnxjerrjen e kartonit të kuq.

Pamjet tregojnë se gjyqtari, në shmangie e sipër nga sherri, nxjerr pistoletën nga të mbathurat e tij dhe ua drejton lojtarëve, por për fat ishin ndihmësit e tij që e ndalën.

Shefi i Shoqatës së gjyqtarëve lokalë, Giuliano Bozzano, tha se Federata e Minas Gerais do të shqyrtojë rastin e Murtas dhe për këtë ka punësuar edhe një psikolog.

Top Channel