FIFA përjashton përjetësisht ish-zv.presidentin Jack Warner

29/09/2015 00:00

Ish-zëvendëspresidenti i FIFA-s, Jack Warner, është përjashtuar përjetë nga futbolli. 72-vjeçari nga Trinidad dhe Tobago ka qenë edhe në krye të Federatës së Karaibeve, por edhe të Konfederatës së Amerikës Qendrore dhe Veriore të Futbollit.

Aktualisht ai është duke kundërshtuar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, teksa akuzohet për korrupsion, ndërkohë që mohon të ketë pranuar miliona dollarë ryshfet. Warner dyshohet t’i ketë kryer “shumicën e akteve të ndryshme dhe të papërshtatshme në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritshme”, bëri të ditur Komiteti i Etikës së trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror.

Rregullorja e FIFA-s ka detyruar ndjekjen e një hetimi të brendshëm në lidhje me proceset e kandidimit për organizimin e dy Botërorëve, atij të vitit 2018 dhe atij të 2022-shit, që është fokusuar edhe tek aktivitetet e Warnerit që prej janarit të këtij viti. Të martën, FIFA bëri të ditur se Warner është gjetur fajtor për shkeljen e Kodit të Etikës së organizatës në disa raste.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare, thuhej se “në pozicionet e tij si zyrtar i futbollit botëror, ai ka qenë lojtar kyç në skemat që përfshinin oferta, pranim dhe marrjen e pagesave të pazbuluara dhe të paligjshme, si dhe skema të tjera të marrjes së ryshfeteve”.

Javën e kaluar, prokurorët zviceranë nisën procedimin penal kundër presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, në lidhje me një kontratë “të pafavorshme” për organizatën, që i referohet një marrëveshjeje për të drejtat televizive të vitit 2005 mes FIFA-s dhe Warnerit.

Top Channel