Në dyshim e ardhmja në Formulën 1 për pistën e Silverstonit

29/09/2015 12:00

Pista e Silverstonit nuk e ka të sigurtë të ardhmen në Botërorin e Formulës 1, edhe pse kontrata me drejtuesit e këtij kampionati skadon në vitin 2026. Sipas asaj që publikohet te “Daily Telegraph”, ekziston një klauzolë në akordin e nënshkruar me Bernie Ecclestone, sipas së cilës, bosi i Formulës 1 mund ta mbyllë atë përpara atij viti.

Gjithnjë sipas “Daily Telegraph”, organizatorët e kësaj gare kanë probleme financiare, madje mësohet se ata janë ende prapa me pagesën e përcaktuar për zhvillimin e kësaj gare dhe për këtë u duhet të sigurojnë kredi nga bankat në mënyrë që të sigurojnë qëndrimin e saj në Formulën 1.

“Organizatorët e garës së Silverstonit do të paguajnë vitin tjetër pagesën për zhvillimin e garës në vitin 2015 sepse e kam lejuar unë. Përndryshe, kjo pistë do të kishte mbetur jashtë kalendarit të Formulës 1 me kohë”, tha Ecclestone.

Ndërkaq, organizatorët e Silverstonit deklaruan se kjo kredi mund të mos merret nëse kuota e pagesës për zhvillimin e garës është më e lartë se të ardhurat e përfituara nga shitja e biletave.

“Nuk mund të garantoj të ardhmen e Silverstonit. Nuk mund t’i them Ecclestone se paratë janë të siguruara për 10 vitet e ardhshme. Ndërprerja e kontratës do të ishte diçka e trishtë për Silverstonin, për garat e shpejtësisë, për vetë Britaninë e Madhe. Ajo që kemi nevojë tani është që dikush të investojë këtu”, tha menaxheri Patrick Allen.

Top Channel