Skandali i Volkswagen shkakton panik te tifozët e Wolfsburgut

28/09/2015 12:40

Java e kaluar ishte një makth i vërtetë për tifozët e Wolfsburgut. Skuadra nënkampione e Gjermanisë, në sfidën e së martës pësoi një humbje të thellë 5-1 ndaj Bayern Munchen, por ai që shkaktoi panikun më të madh tek ta ishte skandali i Volkswagen.

Kompania gjermane e prodhimit të makinave, pronare e Wolfsburgut, vendosi të investojë në futboll që në vitin 2007, kur në krye të saj erdhi Martin Vinterkorn. Por ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i tij, duke bërë që një pjesë e mirë e tifozerisë të qëndrojë në ankth për vazhdimësinë e invstimeve të Volkswagen te kjo skuadër.

Ai që kërkon të vendosë qetësinë është menaxheri i klubit, Klaus Allofs, i cili deklaroi se situata me Wolfsburgun nuk do të ndryshojë.

Por mesa duket një deklaratë e tillë nuk ka ndikuar aspak, pasi te të gjithë ekziston frika se Wolfsburgu do të kthehet si dikur, kur nuk ishte në gjendje të blinte futbollistë të një niveli të lartë si De Bruyne, Schurrle apo Draxler.

“Njerëzit pyesin gjithnjë se çfarë do të ndodhë. Asgjë nuk është e sigurtë. Unë u largova nga klubi vite më parë dhe në atë kohë ne nuk ishim mësuar të kishim një gjendje shumë të mirë financiare. Në atë kohë, një pagë prej 1 milionë eurosh për një lojtar ishte shumë, kurse tani disa prej tyre arrijnë të fitojnë deri në 9 milionë“, deklaron ish-drejtori sportiv i Wolfsburgut, Peter Pander.

Top Channel