Messi do të luajë në Bernabeu

28/09/2015 10:10

Leo Messi do të luajë ndaj Realit të Madridit në datën 21 nëntor. Sipas “El Mundo Deportivo”, ky është parashikimi i stafit mjekësor të Barcelonës, që mendon se dëmtimi i ligamentit anësor të gjurit të majtë të argjentinasit do të rekuperohet në kohë për “Klasiken” e futbollit spanjoll.

Sulmuesi i katalanasve u dëmtua në fitoren 2-1 të Barçës ndaj Las Palmas (ditën e shtunë) dhe do të kthehet të luajë pas 7-8 javësh. Kjo periudhë pushimi vë në rrezik pjesëmarrjen e tij në sfidën ndaj madrilenëve, por mjekët e Barcelonës mendojnë se ai do të jetë i gatshëm.

Messi do të humbasë ndeshjet ndaj Bayer Leverkusen, Sevilla, Rayo Vallecano, BATE Borisov, Eibar, Getafe, BATE Borisov sërish dhe Villarreal. Mes këtyre ndeshjeve do të ketë dy ndërprerje për shkak të impenjimeve të kombëtareve.

Ndërkohë, mjeku i Argjentinës, Donato Villani ka thënë se Messi mund të jetë gati për të luajtur me kombëtaren para se të luajë kundër Realit.

“Nuk është një dëmtim që kërkon operacion, kurohet me pushim sportiv. Besoj se do të rekuperohet më shpejt se periudha 7-8 javë që i është vendosur sepse e njoh mirë Messin. Dëshira për t’u kthyer në fushë ndikon shumë në këto raste”, deklaroi mjeku i bardhekaltërve.

Top Channel