Bundesliga, Dortmundi ‘ngec’ sërish

27/09/2015 00:00

Ishte Hoffenheim ekipi që e ndali Dormundin për herë të parë në këtë sezon, vetëm 4 ditë më parë, ndërsa sërish këtë të diel verdhezinjtë nuk kanë arritur të marrin më shumë se një barazim 2-2 ndaj Darmstadt, ekip i ngjitur këtë sezon mes më të mirëve në Gjermani.

Edhe pse u gjendën në disavantazh të një goli që në minutën e 18 të pjesës së parë, verdhezinjtë gjetën forca për ta përmbysur rezultatin. Dy gola të Aubameyang në minutën e 61 dhe 72 bënë që të pranishmit në “Westfalenstadion” të nisnin festën për fitoren e 6 në Bundesliga.

Por miqtë nuk u dorëzuan dhe besuan deri në minutat e fundit se mund të largoheshin të paktën me një pikë nga Dortmundi dhe kështu ndodhi. Ishte minuta e fundit e kohës së rregullt kur lojtarët e Darmstadt ekzekutuan një goditje dënimi nga mesi i fushës. Pas një rrëmuje në zonë, Sulu godet fuqishëm duke i shtangur të gjithë të pranishmit. Përfundimisht ndeshja përfundoi në barazim 2-2 dhe Dortmundi tashmë largohet nga Bajerni kryesues me 4 pikë.

Top Channel