Kukësi mund Flamurtarin. Laçi thellon krizën e Vllaznisë

27/09/2015 18:50

Goli i Mateus Limas në minutat e fundit i dhuroi fitoren 1-0 Kukësit ndaj Flamurtarit dhe vendin e tretë në klasifikimin e Superiores.

Edhe pse u fut në fushë si zëvendësues, 22-vjeçari brazilian u bë protagonist i ndeshjes duke i dhënë nënkampionëve në fuqi fitoren e tretë në 5 javë kampionat.

Stadiumi “Zeqir Ymeri” i Kukësit vazhdon të mbetet një tabu për skuadrën vlonjate, e cila ka pësuar vetëm humbje dhe nuk ka mundur të fitojë asnjëherë që kur Kukësi u ngjit mes më të mirave të futbollit shqiptar.

Në ndeshjen tjetër të së dielës, Laçi mundi 0-1 Vllazninë, duke thelluar akoma më shumë krizën te skuadra shkodrane, e cila regjistroi humbjen e pestë në po kaq javë kampionat.

Golin e fitores për kurbinasit e shënoi Xhejms në fundin e pjesës së parë. Më këtë triumf Laçi i drejtuar nga Cungu ngjitet në kuotën e 9 pikëve, por për arsye golavarazhi është në 1 shkallë më poshtë se Kukësi.

Top Channel