Napoli mposht Juven, Roma “stërvitet” me Carpin

27/09/2015 00:00

Në javën e 6 të kampionatit italian, Napoli ka arritur të mposhtë kampionët e Italisë në fuqi, Juventusin, dhe të ngjitet në kuotën e 9 pikëve në klasifikim.

Në “San Paolo”, skuadra e Sarrit kaloi në avantazh në minutën e 26, falë një të djathte të Insignes, pas asistit të dhënë nga argjentinasi Higuain.

Më pas është argjentinasi autor i golit të dytë, pas një aksioni të humbur nga Hernandez.

Bardhezinjtë rikthehen në ndeshje një minutë më pas, me golin e Leminas, por napolitanët kontrollojnë lojën pa problem.

Ndërkaq, Roma është në festë. Skuadra e Rudi Garcias fitoi 5-1 përballë Carpit. Në “Olimpico” shënoi fillimisht Manolas, më pas dyfishoi Pjaniç, ndërkohë që për golin e tretë mendoi Gervinho.

Borrielo ngushtoi përkohësisht diferencën, pasi verdhekuqtë nuk ndalen, por shënojnë edhe me anë të Salah dhe Digne.

Me këto rezultate të së shtunës, Roma ngjitet në vendin e 4-t me 11 pikë, po aq sa Sassuolo, ndërkohë që kryeson Interi me 15 pikë të plota nga 5 ndeshje të zhvilluara dhe vetëm 3 pikë më pak ka grumbulluar Fiorentina. Këto dy ekipe do të përballen me njëra-tjetrën mbrëmjen e së dielës.

Megjithatë, ajo që të bie në sy janë kampionët e Italisë, bardhezinjtë e Juventusit, që gjenden me 5 pikë pas 6 takimesh, e për më tepër me golavarazh negativ me një gol të pësuar më shumë nga sa kanë shënuar, në vendin e 13 të renditjes.

Top Channel