Siç afrohet dita e fillimit të procesit gjyqësor kundër grupit të arrestuar pas ngjarjeve të përgjakshme të 9 dhe 10 majit që ndodhën në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, shtohet edhe interesimi mediatik e publik lidhur me të vërtetat që do mund të rrëfejnë të akuzuarit e paraburgosur.

Tani për tani dihet vetëm se pjestarët e paraburgosur të grupit të Kumanovës, kanë zgjedhur që të heshtin para Prokurorisë Publike, me arsyetimin se nuk u janë prezantuar dëshmitë për veprat për të cilat ngarkohen.
 
Sipas javores maqedonase ‘Fokus’,  pas heshtjes së tyre të tanishme, fshihet gatishmëria që gjatë procesit gjyqësor të zbulojnë ndodhitë para dhe gjatë aksionit, por edhe të përmendin personat përgjegjës që i kanë mashtruar të marrin pjesë në këtë skenar, nëse një i tillë ekziston.
 
Duke iu referuar familjarëve të të arrestuarve, ‘Fokus’ shkruan se të akuzuarit do të synojnë të dëshmojnë se i gjithë ky rast është skenar, por edhe se kanë kontaktuar me nëpunës të Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare, si dhe me krerë politikë në Maqedoni.
 
Disa nga familjarët e të arrestuarve kanë thënë se shumica e grupit konsiderojnë se janë ‘viktima të një plani të huaj’. Sipas versionit të tyre, ata kanë qenë të angazhuar për incidente të vogla, si ai në Goshincë, por jo të konfrontohen me policinë.
 
Cila ka qenë forma e kontakteve ndërmjet personave nga Agjencia e Inteligjencës me pjesëtarët e grupit? Sipas javores maqedonase “Fokus”, përgjigjie për gjitha këto pyetje, me siguri do të ofrojë së paku njëra nga palët e përfshira në këtë ngjarje ku humbën jetën 8 policë dhe 10 shqiptarë që ishin pjestarë të grupit të armatosur.

Top Channel