F1, Japoni; Hamilton: Nuk ia vlente të rrezikonim, ditë joproduktive

25/09/2015 00:00

“Makina dha rezultate të mira në pistë të lagur. Mundëm të bënim disa modifikime për të gjetur kombinacionin më të përshtatshëm, edhe pse është e pamundur të gjykosh nivelin e kujtdo në këto kushte”.

Ky është rrëfimi i pilotit gjerman të Mercedesit, Nico Rosberg, i dyti në renditjen e sesionit të dytë të provave të lira për Çmimin e Madh të Japonisë.

“Nuk ishte një ditë shumë e kënaqshme, qoftë për ne si pilotë, për mekanikët, por edhe për tifozët e mbledhur pas shpinës sonë për të na ndjekur”, janë fjalët e britanikut kampion bote, Lewis Hamilton, i cili duket se nuk është në të njëjtën linjë me shokun e tij të skuadrës. Hamilton e mbylli sesionin e dytë të provave të lira në vendin e 3.

“Mësuam diçka, por gjithçka do të nisë nga fillimi ditën e nesërme. Asfalti për sot ishte i rrëshqitshëm, i lagur dhe kishte në shumë vende gropa të mbushura me ujë. Kushtet ishin me të vërtetë të këqija. Nuk donim të rrezikonim shumë dhe të shkatërronim makinën. Të shohim çfarë do të ndodhë, por kjo nuk ishte një ditë shumë produktive”, mbyll deklaratën e tij Hamilton.

Top Channel