Bundesliga, rekordmeni Lewandowski nuk dëshiron të ulë ritmin

25/09/2015 00:00

Bayern Munchen do të udhëtojë drejt Mainzit këtë të shtunë, me synimin për të konsoliduar kryesimin me dy pikë diferencë ndaj Dortmunit në Bundesliga, nëse do të arrijnë të sigurojnë fitoren e 7 radhazi.

Ekipi i Pep Guardiolës mbeti i vetëm në krye të kampionatit gjerman, pas fitores 5-1 ndaj Wolfsburgut në mesjavë, 24 orë përpara se Dortmundi i Thomas Tuchel humbi pikët e para të këtij sezoni, kur barazoi 1-1 me Hoffenheimin.

Pavarësisht se shkroi historinë e Bundesligës me ato 5 gola të shënuar në një hapësirë kohore prej 9 muajsh kundër “ujqërve”, Robert Lewandowski nuk e ka ende të sigurt një vend titullari në skuadër përpara një jave tepër të ngjeshur për gjigantët bavarezë.

Pas Mainzit, Bayerni do të presë Dinamon e Zagrebit për Champions League, ndërsa më pas do të luajnë në “Allianz Arena”, më 4 tetor, një prej ndeshjeve më kyçe të kampionatit gjerman, atë ndaj Borussia Dortmundit. Festivali më i famshëm i birrës në botë, “Oktoberfest” është në kulmin e tij në Mynih, por Lewandowski shprehet se bavarezët kanë të tjera gjëra më të rëndësishme për t’u shqetësuar, sesa vizita e përvitshme te një prej sponsorëve të ekipit.

Në krahun tjetër, Dortmundi pret Darmstadtin, me lojtarin nga Gaboni, Pierre-Emerick Aubameyang që ka shkruar historinë duke shënuar në secilën prej 6 ndeshjeve të luajtura deri më tani në Bundesligë. Pavarësisht se barazuan në mesjavë, Dortmundi është ende i pamposhtur në 12 ndeshjet e para të këtij sezoni në të gjitha kompeticionet.

Wolfsburgu, që u mposht në mënyrë të turpshme nga Bayerni gjatë mesjavës, por që sezonin e kaluar u shpallën nënkampionë të Gjermanisë, tashmë është 7 pikë larg kryesuesve dhe pritet të luajnë pa Luiz Gustavon të shtunën, kur të vizitojnë Hannoverin e vendit të fundit.

Top Channel