Barça, për kthesën; Ronaldo, për rekordin e golave te Reali

25/09/2015 00:00

Kampionët e Europës të Barcelonës, që vijnë nga një humbje turpëruese 4-1 në mesjavë në shtëpinë e Celta Vigos, mund dhe duhet të kërkojnë kthesën kur të presin në “Camp Nou” Las Palmasin gjatë ditës së shtunë.

Nisja perfekte e katalanasve u ndal pikërisht në një mënyrë spektakolare, kur Celta u shkaktoi atyre humbjen më të thellë në kampionat që prej vitit 2008. Të besuarit e Luis Enrique kanë rënë menjëherë në vendin e pestë të La Ligas, e megjithatë e kanë një mundësi të menjëhershme për t’u rikthyer sërish në krye, të paktën për pak orë, pasi në orët e mëvonshme të së shtunës pritet të luajnë edhe Reali i Madridit, Celta Vigo, Villarreali dhe Atletico Madrid.

“Pas një rezultati të atillë, kushdo do të ndihej i rënduar psikologjikisht, edhe pse mendojmë se rezultati ishte shumë më i ekzagjeruar nga sa u dha në fushën e lojës”, tha mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets. “Tashmë duhet të kthejmë faqen dhe të mësojmë nga gabimet tona. Përgjigjja më e mirë është të fitojmë ndaj Las Palmasit të shtunën në ‘Camp Nou’. Kampionati është ende i gjatë dhe deri tani kemi fituar çdo ndeshje veç transfertës së fundit”.

Në krahun tjetër, Cristiano Ronaldo do të synojë rekordin e golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave te Reali i Madridit, kur “Los Blancos”-it të vizitojnë Malagan mbrëmjen e së shtunës. Lojtari më i mirë i FIFA-s për vitin e kaluar nuk ka mundur të shënojë ndonjë gol në dy ndeshjet e fundit, duke mbetur ende dy gola larg rekordit të Raul Gonzalez Blancos me 323 gola në karrierën e tij me “merenguesit”.

Ndeshja më e fortë e fundjavës pritet të jetë ajo mes Villarrealit dhe Atletico Madridit, edhe për shkak të renditjes në La Liga, respektivisht në vendet 3 dhe 4. Villarreali nuk është mposhtur ende në këtë sezon, teksa është ngjitur në krye të renditjes me Realin dhe Celtan pas fitores 1-0 me Malagan. Ndërkohë, trajneri argjentinas i Atleticos, Diego Simeone, përdori rotacionin në ekipin e tij gjatë mesjavës (fitore 2-0 me Eibar) përpara një jave tepër sfiduese që do t’i shohë “Los Rojiblancos”-it të përballen me Benfikën dhe Realin e Madridit pas transfertës së Villarrealit.

Top Channel