“Magjia e Vettel”, te Ferrari të çmendur pas tij

24/09/2015 00:00

Te Ferrari të gjithë janë të çmendur pas Sebastian Vettel. Gjermani diti të fitojë zemrat e mekanikëve dhe drejtuesve të skuadrës italiane me alegrinë dhe humanizmin e tij.

Në fund të garës së Singaporit ai befasoi të gjithë teksa me një tekst të improvizuar këndoi një këngë shumë të njohur italiane.

Ky lloj efekti që ka krijuar Vettel te Ferrari nuk ishte as në kohën e Michael Schumacher, që ishte benjamini i mekanikëve te kokëkuqes dhe idhulli i tifozëve.

Edhe pse ka fituar 4 tituj botërorë, 28-vjeçari rezulton një personazh i thjeshtë që herë pas here bën edhe shaka. Vettel la Red Bull-in për të kaluar te Ferrari, duke ditur se e priste një sfidë e madhe. Por, gjermani arriti të fitojë zemrat e ferraristëve me një armë akoma më të fuqishme, rezultatet në pistë.

Ky është vetëm viti i tij i parë te skuadra italiane dhe ai ka arritur të fitojë 3 gara, në Malajzi, Hungari dhe Singapor, ndërkohë që ka mundësuar edhe konfirmimin e Raikkonen për të ruajtur ekulibrat e krijuara në skuadër.

Gara në Suzuka është sfida e radhës për Vettel, që do të kërkojë të rrisë akoma më shumë shanset për titull në këtë botëror të Formula 1, duke parë se Mercedes e ka më të vështirë të shprehë portencialin e saj në pistat ku ajo është më favorite.

Top Channel