Më pak se 24 orë pasi bëri betimin si pjesë e qeverisë së re “Tsipras” në Greqi, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura ditën e diel, një prej ministrave është detyruar të japë dorëheqjen për shkak të komenteve antisemitike dhe homofobike.

Dimitris Kammenosit i është kërkuar të japë dorëheqjen, pasi shkaktoi irritim masiv me komentet e publikuara në rrjetet sociale. Njëri prej tyre, edhe pse jo i kohëve të fundit por i fillimvitit, kishte të bënte me krahasimin e Bashkimit Europian me kampin vdekjeprurës nazist të Aushvicit.

Kammenos, një anëtar i partisë së “Grekëve të Pavarur” të krahut të djathtë, deklaroi se llogaria e tij në rrjetin social ishte menaxhuar nga dikush tjetër, si dhe bëri thirrje ndaj policisë që të niste hetimet mbi këtë ngjarje. Megjithatë, kreu i “Grekëve të Pavarur”, Panos Kammenos u shpreh se zv.ministri i Infrastrukturës dhe Transportit duhej të jepte dorëheqjen derisa të mësohej e vërteta.

Vetëm pak orë më parë, Dimitris Kammenos – i cili nuk është i afërm me kreun e partisë së tij, – ishte betuar në kabinetin e ri të kryeministrit Alexis Tsipras. Partia e këtij të fundit, Syriza, fitoi 35,5% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, por e kishte të domosdoshme koalicionin me “Grekët e Pavarur” për të formuar një qeveri.

Top Channel