Maqedoni, mjeku shqiptar: Qeveria më mbylli spitalin dhe më arrestoi

24/09/2015 00:00

Mjeku shqiptar nga qyteti i Kërçovës, Adil Mustafa, i cili u ndalua nga policia maqedonase dy ditë më parë, pasi akuzoi Qeverinë dhe zv.kryeministrin Musa Xhaferi për mashtrime dhe shantazhe, dyshon se është arrestuar pikërisht për shkak të akuzave ndaj zyrtarëve të lartë të pushtetit.

Në një konferencë për media, ai tha se është paralajmëruar një muaj më parë, se mund t’i ndodhte gjithçka, nëse flet për skenarët dhe obstruksionet që i janë bërë, për dështimin e investimit të tij në spitalin privat “Shëndeti”, në Tetovë.

“Pse nuk më arrestuan atëherë, por pikërisht ditën që dhashë konferencën për shtyp? Para një muaji isha me zv.kryeministrin, Musa Xhaferi, dhe si shqiptar i thashë se ky ishte spitali i parë që ka filluar në Maqedoni, duhej të gjendej ndonjë zgjidhje, e për këtë iu luta të bënim diçka. U përgjigj negativisht, duke më sulmuar se përse i përfshija Qeverinë dhe shtetin në këtë punë. Unë nuk do të fitoja asgjë nga kjo, veçse mund të arrestohesha, ose të më ndodhte diçka tjetër. Edhe me të vërtetë ndodhi. Atë ditë që dhashë konferencën për shtyp, mua më arrestuan në kufi”, tha Adil Mustafa, mjek.

Mjeku Adil Mustafa, i cili u arrestua të hënën në pikën kufitare të Qafë Thanës, tha se lirimi i tij nga burgu erdhi vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

“Falënderoj shumë Ambasadën e SHBA-ve, lobin shqiptaro-amerikan, OSBE-në, forumin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, sepse ishin këta që ndërhynë me të shpejtë”, tha Adil Mustafa.

Mjeku shqiptar akuzon zv.kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi, dhe një bankë të njohur nga Maqedonia për mbylljen e spitalit privat të tij. Ai kishte nisur investimin e tij në vitin 2004, me synimin për të shndërruar spitalin “Shëndeti” në Tetovë, në një qendër mjekësore rajonale.

Top Channel