F1, Button: Jam ende në bisedime me McLaren

24/09/2015 13:50

Jenson Button përgënjështron median britanike në lidhje me deklarimin për tërheqjen nga Botërori i Formulës 1 gjatë kësaj fundjave në Japoni. Në konferencën e zakonshme për shtyp që zhvillohet përpara çdo gare, piloti britanik preferoi të mos flasë shumë për këtë çështje, duke theksuar se tani ai është i përqendruar te gara në Suzuka.

“Nuk mund të them ende asgjë. Më vjen keq, por duhet të prisni edhe pak. Jam ende në bisedime me drejtuesit e skuadrës. Në këtë moment jemi të fokusuar te gara në shtëpinë e Hondës. Shpresoj që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, tha Button.

Por, pavarësisht kësaj deklarate, Button la të kuptojë se çfarëdo vendimi të marrë, ai do të vazhdojë të jetë ende pjesë e garave automobilistike: “Mundësitë që unë të jem ende në drejtimin e një makine garash janë shumë të mëdha dhe nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk e kam menduar asnjëherë që të garoj njëkohësisht si në Formulën 1, ashtu edhe në World Endurance Championship. Formula 1 ka një kalendar shumë të ngjeshur, kështu që është e vështirë që të marrësh pjesë edhe në gara të tjera”.

Top Channel