Hidhet shorti për Botërorin e Klubeve

24/09/2015 00:00

Në Zyrih u hodh shorti i  Botërorit të Klubeve që do të zhvillohet në Japoni, ceremoni kjo që u drejtua nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. Në këtë turne, Barcelona si kampione e Europës dhe River Plate si fitues i Kupës Libertadores konsiderohen si skuadrat favorite.

Ndeshja e hapjes së Botërorit të Klubeve do të jetë ajo mes Auckland City (Zelandë e Re) dhe skuadrës që do të fitojë kampionatin japonez. Skuadra fituese do të përballet në çerekfinale me klubin kampion të Afrikës, ndeshje kjo që do të luhet në 13 dhjetor. Po në datën 13 dhjetor do të luhet edhe çerekfinalja mes Club America dhe skuadrës fituese të Ligës së Kampioneve të Azisë. Nga këto dy ndeshje do të përcaktohen edhe gjysmëfinalistet që do të përballen me Barcelonën dhe River Plate, ndeshje të cilat do të luhen në 16 dhe 17 dhjetor.

Finalja e Botërorit të Klubeve do të luhet në 20 dhjetor të këtij viti, në “International Stadium” të Jokohamës.

Top Channel