“Turbo” Inter, Juventusi shtanget në shtesë

23/09/2015 00:00

Në një ndeshje futbolli 3 pikët merren edhe me një gol të shënuar dhe këtë gjë po e bën më së miri Interi, i cili prej vitesh nuk gjendej në këto pozita në klasifikim.

Zikaltrit fituan edhe në javën e pestë të Serisë A me rezultatin 1-0, këtë herë ndaj Verona-s, rezultat të cilin e kanë arritur edhe në 3 ndeshje të tjera.

Këtë herë njeriu i ndeshjes ishte Melo, mesfushori i ardhur nga Galatasaray, që realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 56.

Mbrëmjen e së mërkurës u luajtën edhe ndeshjet e tjera të javës së 5-të të Serisë A, ku kampionët e Juventusit janë surprizuar në shtëpi nga ekipi i ardhur nga Seria B, Frosinone. Blanchard ishte ai që i befasoi të gjithë në “Juventus Stadium” në minutën e dytë të ndeshjes, duke shënuar golin e barazimit. Për Juventusin shënoi Zaza 5 minuta nga nisja e pjesës së dytë. Me këtë barazim, ekipi i Allegri-t zgjeron distancën nga Interi i vendit të parë me 10 pikë, ndërsa pozicionohet në vendin e 13.

Hap të gabuar hodhi edhe Roma, e cila u mposht nga Sampdoria 2-1. Fiorentina mori vendin e dytë pasi mposhti 2-0 Bologna-n. Tek fitorja u rikthye edhe Lazio, 2-0 ndaj Genoa-s. Ndërsa në barazim u ndal Napoli 0-0, me Carpin.

Top Channel