Mamurras, konflikt i armatosur mes dy familjeve; 1 i vrarë e 3 të plagosur

23/09/2015 00:00

Pak metra nga ish-godina e bashkisë së Mamurrasit, shtetasi Erik Mamli hapi zjarr me një kallashnikov mbi një automjet ku udhëtonin pesë persona.

Mamli kishte në shënjestër të njohurin e tij Dorian, me të cilin ishte konfliktuar më parë në Itali. Nga breshëria e kallashnikovit mbeti i vrarë një person dhe u plagosën të gjithë pasagjerët e tjerë të autmojetit.

Zanafilla e ngjarjes nisi herët mëngjesin e së mërkurës. Dorian Mamli, i cili e akuzone të njohurin e tij Erik Mamlin se nuk kishte ndarë mirë pjesën e të ardhurave që buronin nga një xhiro prostitucioni në Itali, ka qëlluar gjashtë herë me një pistoletë tip “TT” ndaj një automjeti tip “Range Rover”.

Të gjashtë të shtënat e kryera me pistoletë ishin për të trembur personin në fjalë dhe nuk kishin për qëllim lëndimin e tij. Erik Mamli është larguar drejt shtëpisë dhe është rikthyer bashkë me disa shokë të tjerë me një kallashnikov, duke hapur zjarr ndaj automjetit të kundërshtarit të tij.

Nga plumbat mbeti i vrarë Naim Tafaj, lindur e banues në Mamurras. Gjatë mbledhjes së provës materiale, policia gjeti disa dhjetëra gëzhoja në vendin e ngjarjes.

Ajo u vu në ndjekje të autorit të krimit dhe e arrestoi atë në tentativë për t’u larguar nga Mamurrasi. Ai do të akuzohet për “vrasje me dashje, e kryer në rrethana rënduese”.

Policia po kërkon ndërkohë shokët që e përkrahën në krimin e tij. Por, me urdhër të prokurorit të çështjes, të arretsuar do të jenë edhe tre të plagosurit, mes të cilëve personi që nisi konfliktin Dorian Mamli. Ata do të akuzohen për sulmin me armë që i bënë më herët autorit të krimit.

Policia tha se ka nën kontroll situatën në Mamurras, ndërsa në vendin e ngjarjes, për disa orë me radhë ka patur forca të shumta policie, të ndihmuara edhe nga FNSH-ja.

Policia tha se do të mbajë në ruajtje dy familjet e përfshira në konlifkt, atë të autorit të dyshuar të krimit si edhe të viktimës, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme.

Top Channel