Procesi gjyqësor ndaj 70 drejtuesve, simpatizantëve dhe gjysmës së deputetëve të legjislaturës së kaluar, nuk kanë dëmtuar aspak Agimin e Artë, përkundrazi.

Rezultatet e së dielës në Greqi treguan një rritje të lehtë të neonazistëve, që do të përfaqësohen në Parlament me 18 deputetë, 1 më shumë sesa legjislatura e kaluar.

Analistët e shpjegojnë këtë fakt me retorikën populiste të neonazistëve, me gjuhën e tyre të ashpër kundër emigrantëve, por edhe kundër masave shtrënguese ekonomike dhe financiare të imponuara nga partnerët ndërkombëtarë.

Partia ekstremiste, e krijuar zyrtarisht në vitin 1992, hyri për herë të parë në Parlament në vitin 2012. Kjo tronditi klasën politike dhe shoqërinë greke, por u interpretua më së shumti si votë pakënaqësie ndaj krizës financiare dhe asaj sociale që kishte kapluar vendin.

Diskursi i tyre politik është i thjeshtë, mbizotëron tematika ksenofobe, nacionaliste dhe slogani i tyre është “Greqia u përket grekëve”.

Shumë ishin të bindur se me normalizimin e situatës, Agimi i Artë do të binte gradualisht. Por kriza nuk është tejkaluar ende dhe as pakënaqësia popullore. Kjo është përkthyer në një votë të qëndrueshme për neonazistët, të cilët u konfirmuan edhe këtë herë forcë parlamentare.

Ndërkohë, ndaj drejtuesve të saj më të zëshëm vijon procesi gjyqësor për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, proces i nisur pas vrasjes së 34-vjeçarit antifashist, Pavlos Fyssas më 18 shtator të 2013-ës nga disa simpatizantë të Agimit të Artë.

Top Channel