Laçi dhe Flamurtari shijojnë fitoren e parë në Superiore

20/09/2015 00:00

Laçi dhe Flamurtari kanë arritur të marrin fitoren e parë në kategorinë Superiore, duke mposhtur përkatësisht Bylisin dhe Vllazninë.

Laçianët mposhtën 3-1 Bylisin në një sfidë që deri 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt ishte mbërthyer në shifrat 1-1. Për skuadrën ballshiote kjo ishte humbje e tretë në këtë fillim sezoni, që e mban në vend të parafundit të tabelës me vetëm një pikë, të fituar ndaj Tiranës në “Qemal Stafa”.

Ndërkohë, Flamurtari e vulosi ndeshjen ndaj Vllaznisë që në 45 minutat e pjesës së parë, duke shënuar dy gola me Grecën dhe Chadadze. Në 45 minutat e dyta, pavarësisht rasteve për shënim nga të dyja ekipet rezultati i pjesës së parë mbeti i pandryshuar, 2-0.

Me këtë fitore vlonjatët ngjiten në kuotën e 4 pikëve pas 4 ndeshjeve, ndërsa Vllaznia ende nuk e ka shijuar pikën e parë për këtë sezon.

Ditën e hënë do të luhet edhe ndeshje kryesore e kësaj jave, Skënderbeu-Tirana në orën 20:00.

Top Channel