Greqi, tjetër tragjedi. Mbytet varka, 25 emigrantë të zhdukur

20/09/2015 12:55

Një tjetër tragjedi është shënuar paraditen e së dielës në brigjet greke të ishullit të Mytilinit, pak milje larg aeroportit të këtij ishulli.

Sipas Rojes Bregdetare greke, 20 emigrantë janë shpëtuar, ndërsa 25 të tjerë regjistrohen të zhdukur pas mbytjes së një varke druri, që po transportonte emigrantët nga brigjet turke drejt atyre greke.

Roja Bregdetare sqaron se varka me emigrantë u përmbys prej dallgëve të ngritura prej një anije tregtare që po lundronte në zonë. Besohet se ekuipazhi i saj nuk i kishte parë klandestinët, ndaj edhe nuk ndaloi pas mbytjes së saj për të dhënë ndihmën e parë.

Të shpëtuarit mbërritën në breg me not, ndërsa banorë të zonës njoftuan Rojen Bregdetare e cila mbërriti në zonë pak çaste më vonë.

Deri tani janë nxjerrë në breg disa trupa të mbytur, siç duken në pamjet e transmetuara në shtyp dhe në rrjetet sociale, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet me helikopterë dhe anije të Rojes Bregdetare për gjetjen e trupave të tjerë.

Autoritetet thonë se mes të zhdukurve janë shumë gra dhe fëmijë. Operacioni do të vazhdojë edhe gjatë orëve në vazhdim.

Top Channel