Emigrantët që kanë vërshuar në Kroaci po shtyhen drejt kufirit hungarez. Kryeministri Zoran Milanoviç ka deklaruar se vendi i tij nuk mund të bëhet një “vatër emigrantësh”.

Të paktën 20 autobusë kanë transportuar emigrantë drejt kufirit gjatë kësaj të premteje, edhe pse Hungaria thotë se po ndërton një barrierë të re për t’i ndaluar.

Më herët Kroacia mbylli 7 nga 8 rrugët që të çojnë në Serbi, pasi rreth 14 mijë emigrantë hynë në territorin e saj gjatë dy ditëve të fundit, duke kërkuar shtegje për të arritur në veri të Evropës.

Ndërkohë, Sllovenia, një tjetër vend fqinj i Kroacisë, e akuzoi Zagrebin zyrtar për shkelje të rregullave të Bashkimit Evropian.

Numri i madh i refugjatëve që drejtohen për në vendet veriore të Evropës përmes Ballkanit kanë futur Unionin në një krizë serioze. Shumë prej tyre largohen nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan.

“Hungaria i ka mbyllur kufijtë e saj me tela me gjemba dhe kjo nuk është një zgjidhje. Por as qëndrimi i këtyre personave në Kroaci nuk është zgjidhje”, tha kryeministri Milanoviç.

I pyetur nëse Kroacia mund t’i dërgojë emigrantët në Slloveni, ai u përgjigj: “Hungaria është tre herë më afër”. Autobusët e parë me refugjatë mbërritën në kufirin hungarez të premten pas mesdite.

Top Channel