Partia konservatore greke Demokracia e Re, për të parën herë duket se kryeson në një sondazh kundrejt rivales majtiste Syriza. Edhe pse një tjetër sondazh vazhdon ta rendisë kryeministrin Aleksis Tsipras si kryesues, pavarësisht se popullariteti i tij ka rënë disi, gara zgjedhore e së dielës po bëhet shumë e paparashikueshme.

“Greqia ka ndryshuar dhe ne kemi ndryshuar po ashtu. Tsipras gënjeu shumë janarin e shkuar. 9 muaj më parë, Greqia kishte një surplus fiskal dhe perspektiva e rritjes ishte e dukshme. Tani, vendi po bën sërish hapa prapa. Deficiti është i lartë dhe papunësia po ashtu. Investimet janë larguar e kjo pasi Tsipras i largoi”, u shpreh lideri i Demokracisë së Re, Vangelis Meimarakis.

Dëshpërimi nga masat e kursimit i shumë zgjedhësve grekë, ka çuar në një rritje të mbështetjes për Agimin e Artë. Lideri i saj, Nikos Michaloiakos e prezanton partinë si të vetmen zgjedhje nacionaliste me rezultatet e sondazheve që e rendisin atë të tretën.

Kjo do të thotë se nëse asnjë nga dy partitë e mëdha nuk do të fitojë shumicën, partia që ndodhet në vendin e tretë do të ketë një mandat nga presidenti për të parë nëse mund të formojë një qeveri.

Top Channel