Hamilton dhe Vettel, kampionë nga dy botë të ndryshme

17/09/2015 12:30

Mjafton një frazë e Sebastian Vettel për të kuptuar se sa i ndryshëm është ai nga kampioni britanik Lewis Hamilton. Në përfundim të garës së Monzës, Vettel u pa të diskutonte me Kimi Raikkonen në bokse. I pyetur nga gazetarët për temën e bisedës, Vettel duke buzëqeshur u përgjigj: “Nuk po thonim asgjë, po prisnim Hamilton të rregullonte flokët”.

Në pistë, antagonizmi mes tyre ka qenë gjithnjë në distancë. E përbashkëta është se duelet e vërteta i kanë pasur me Fernando Alonson, sigurisht në sezone të ndryshme. E megjithatë, Hamilton e Vettel vazhdojnë të ndjekin njëri-tjetrin dhe takimi i radhës mes tyre është këtë të dielë në Singapor. Vettel ka fituar 3 herë në këtë pistë, ndërsa Hamilton 2, duke pasur shanse shumë të mëdha për ta arritur 4 herë kampionin e botës. Edhe në klasifikimin e fitoreve të përgjithshme, të dy këta pilotë janë aty. Vettel tashmë e ka barazuar Airton Senën me 41 triumfe, Hamilton mund ta bëjë këtë në fundjavë.

Por ngjashmërite mes tyre mbeten vetëm në kuadrin e shifrave të regjistruara gjatë paraqitjeve të tyre në gara. Përsa u përket karaktereve, ata janë nga 2 botë të ndryshme. Hamilton ndihet shumë komod në rolin e një rokstari, objektiv i paparacëve në festat e Hollivudit dhe të Nju Jorkut. Përpara kësaj gare, Hamilton u mbyll në një studio regjistrimi londinez se bashku me kompozitorin Spinz Beats për të krijuar një këngë dedikuar Formulës 1, duke shtuar në të edhe zhurmat e makinave, duke bërë të qartë pasionin e tij për muzikën, së cilës mendon t’i përkushohet në momentin kur ai të mbyllë aventurën e tij me garat.

Krejtësisht e kundërta ndodh me Vettel. Gjermani i Ferrarit, i lidhur ende me Beatles, preferon normalitetin dhe jetën familjare për të cilën është shumë xheloz. Ka një pasion të veçantë: koleksionimin e makinave të vjetra. Ka blerë një Ferrari F40 që i përkiste Pavarotit dhe disa makina të tjera klasike Ferrari, ndërkohë që po restauron një BMW R51/3.

Top Channel