Skënderbeu pret Beshiktashin, Josa: Nuk jemi thjesht për pjesëmarrje

17/09/2015 11:00

Mbrëmjen e së enjtes fillon një erë e re për futbollin shqiptar. Skënderbeu do të nisë aventurën europiane në një nga nivelet më të larta për klube, për herë të parë në historinë e futbollit tonë.

Pesë herë kampionët e Shqipërisë do të ndeshen në “Elbasan Arena” me skuadrën turke të Beshiktashit.

Pavarësisht se është një eksperiencë e re për tanët, trajneri i korçarëve Mirel Josa është shprehur qartë se, nuk kanë mbërritur deri këtu thjesht për të marrë pjesë.

Përsa i përket formacionit, nuk ka asnjë dyshim që në portë do të jetë Orges Shehi, ndërkohë që para tij priten të rreshtohen Vangjeli, Radas, Jashanica dhe Arapi.

Duke qenë se kundërshtari është i një niveli më të lartë se ekipet, me të cilat Skënderbeu është ndeshur deri më tani, pritet që tekniku Josa të mbajë të mbipopulluar mesfushën. Lilaj, Shkëmbi e Nimaga do të mundohen të thyejnë aksionet e turqve, ndërkohë që do të shërbejnë për Latifin dhe Berishën, të cilët falë shpejtësisë së tyre do të jenë një ndihmë e madhe për Salihin, i cili pritet të jetë i vetëm në sulm.

Nga ana tjetër, Beshiktashi është një nga skuadrat më të mëdha turke dhe në formacion ka lojtarë të nivelit të lartë, si Quaresma apo Mario Gomez. Gjithsesi, turqit nuk janë të pathyeshëm në transfertë: ata kanë humbur 3 nga 6 ndeshjet e luajtura jashtë fushe, dy prej të cilave në Europa League, por pavarësisht kësaj, sezonin e kaluar kanë mundur të shkojnë deri në fazën e 1/16-ave të Europa League.

Kjo është përballja e tretë e Beshiktashit me një skuadër shqiptare. Më parë, ata kanë fituar dy herë me Dinamon, në turin e parë të Kupës së Kampioneve, në sezonin 1986-’87.

Sfida e mbrëmjes, e cila do të gjykohet nga hungarezi, Tamas Bognar, do të transmetohet drejtpërdrejt në paketën “Supersport” të platformës “Digitalb”.

Top Channel