Starton Kupa, Kukësi mundet në Kuçovë, Vllaznia barazon në Pogradec

16/09/2015 22:35

Naftëtari është skuadra surprizë e turit të parë të Kupës së Shqipërisë pasi mundi 3-1 nënkampionët e Kukësi. Edhe pse kishin në formacion një pjesë të mirë të lojtarëve titullarë, verilindorët kanë pësuar një disfatë që ndoshta mund t’i prishë punë në ndeshjen e kthimit.

Përsa i përket skuadrave të tjera të mëdha, asnjëra prej tyre nuk ka pësuar fatin e Kukësit. Partizani shkatërroi 5-0 Korabin e Peshkopisë falë dopietës së Sabino Plakut, golit të Morinit dhe atij të Ibrahimit, duke e siguruar që në ndeshjen e parë kualifikimin për më tej.

Tirana e Shkëlqim Muçës ka fituar minimalisht 0-1 me Erzenin dhe këtë e arriti falë golit të Kadriut në minutën e 80. Në ndeshjet e tjera, Laçi fitoi në transfertë 1-3 ndaj Besës, Flamurtari mposhti 2-1 Orikumin, ndërkohë që Vllaznia barazoi 1-1 me Pogradecin.

Për shkak të impenjimeve të saj në Europa League, Skënderbeu e nisi një javë më parë rrugëtimin e saj në Kupën e Shqipërisë. Kampionët korçarë e morën biletën për në turin tjetër që në ndeshjen e parë, pasi mundën 3-0 në Berat skuadrën e Tomorit.

Top Channel