Çmimi i Madh i Singaporit, ja çfarë duhet të dini për të

16/09/2015 00:00

Çmimi i Madh i Singaporit është përfshirë në kalendarin e kampionatit botëror të F1 në vitin 2008, që përkonte me garën e 800 në historinë e Formula 1 dhe mbahet mend si gara e parë në histori e zhvilluar natën. Pista e Singaporit është një pistë qytetase dhe trajektorja e saj është pranë godinave dhe vendeve të rëndësishme, si Gjykata e Lartë apo Parlamenti.

Trajektorja e pistës është pak më shumë se 5 km dhe një pilot duhet të përshkruajë 61 xhiro në garë. Pavarësisht pjesëve të drejta shumë të gjata, pista është e ndërthurur edhe me shumë kthesa të vështira, duke e limituar herë pas herë shpejtësinë e duke kronometuar vetëm 46% të xhiros me gazin e hapur.

Pista është në drejtimin antiorar dhe ka dy pika kritike: daljen nga “Memotial Corner”, e cila në shumë raste shfrytëzohet për parakalime, dhe kthesën e fundit përpara vijës së drejtë të “finish”-it, e cila ka një rrezikshmëri të lartë, pasi bordurat e kthesës janë pak të larta.

Që nga viti 2008, kjo garë është fituar vetëm nga 3 pilotë: kampioni i botës Lewis Hamilton është fituesi i fundit, ndërsa më parë britaniku e pat fituar edhe me McLaren në vitin 2009. Në 2011, 2012, 2013 fitues ishte Vettel me Red Bull, ndërsa dy herë të tjera; në 2008 me Renault dhe 2010 me Ferrari; fitues ka qenë Fernando Alonso.

Disa fakte interesante nga Çmimi i Madh i Singaporit

Duke qenë se në F1 shikimi i pilotëve duhet të jetë shumë i pastër, rreziku që një gjë e tillë të vihej në diskutim bëri që organizatorët e Çmimit të Madh të Singaporit të bënin një paraqitje të shkëlqyer sa i përket ndriçimit, ndaj në trajektoren prej 5.067 km janë të montuar rreth 1600 prozhektorë me dritë të bardhë dhe me një fuqi 2000 vat. E thënë më thjeshtë, drita e krijuar është 4 herë më e fortë se e një stadiumi futbolli.

Në garën përuruese të Çmimit të Madh të Singaporit, organizatorët morën një vendim shumë të fortë, duke i mbyllur të gjitha pusetat që ndodhedhin në trajektoren e pistës, pasi trysnia që këto supermakina krijojnë do t’i shpërthente ato dhe do të bëheshin shumë të rrezikshme për sigurinë në pistë.

Është e qartë se në Singapor është nxehtë, por ajo që përjetojnë pilotët në harkun e një ore është një sauna e vërtetë. Çdo pilot humbet 2-3 litra ujë për çdo garë dhe, për të evituar dehidratimin, pilotët gjatë garës konsumojnë 8 litra lëngje. Në përfundim të çdo gare pilotët peshojnë 4 kg më pak.

Në një shpejtësi me 300km/h në pistën e Singaporit, frenimi bëhet shumë stresues për pilotët. Forca e rëndesës rritet ndjeshëm me 4-5 herë peshën e trupit të tyre dhe çdo pilot duket sikur përplaset me një mur tulle, sa herë duhet të shkelë pedalin e frenave.

Të dhënat e pistës së “Marina Bay”-t, në Singapor

Gjatësia e pistës: 5.065 km
Xhiro: 61
Distanca e garës: 308.828 km
Pole position: Në krahun e djathë të pistës
Xhiro rekord: 1’48’’.574 (167.941 km/h) nga Sebastian Vettel, 2013
Xhiro më e shpejtë: 1’42’’.841 (177.303 km/h) nga Sebastian Vettel, 2013
Shpejtësia maksimale: 296 km/h
Zona e përdorimit të DRS: Vija e drejtë e “finish”-it dhe ajo pas kthesës 7
Distanca nga starti te kthesa e parë: 200 m
Gazi i hapur: 46%
Pjesa e drejtë më e gjatë: 832 m
Niveli i forcës së rëndesës: Maksimal
Ndërrimet e marsheve për xhiro: 80
Konsumi i karburantit në një xhiro: 1.6 kg
2014, gomat, zgjedhja e parë: Soft – Të buta
2014, gomat, zgjedhja e dytë: Supersoft – Shumë të buta

FOTO GALERI
1/2
Klasifikimi aktual i pilotëve në Formula 1

Top Channel