Në kërkim të rrugëve të reja, refugjatet nisen nga Presheva në Kroaci

16/09/2015 10:55

Refugjatët nga Siria, pas bllokadës së vendosur në Hungari, janë nisur në drejtim të Kroacisë, e pritet që pas këtij vendi, të vazhdojnë më tej nëpërmjet Sllovenisë për në vendet e Bashkimit Europian.

Pas bllokimit të kufirit, ata u nisën fillimisht nga Presheva për në kufirin kroat, në qytetin e Shidit, prej nga do të vazhdojnë në Kroaci, dhe po ashtu në Sombor, një qytet që kufizohet si me Hungarinë, edhe me Kroacinë.

Një shofer autobusi tregon për ndryshimin e rrugës.

“Autoritetet nga komuna e Preshevës na kanë dhënë instruksione para disa orësh, që destinacionet e ardhshme duhet të jenë qyteti i Shidit në kufi me Kroacinë, dhe qyteti i Somborit, që ndan kufijtë me Kroacinë dhe me Hungarinë. Ky ndryshim ka ardhur si pasojë e bllokimit të kufirit nga ana e hungarezëve dhe problemeve të krijuara në atë kufi”, thotë drejtuesi i autobusit.

Ndërkaq, sirianët nuk e dinë më sesi mund të arrijnë në vendet e Bashkimit Europian.

“Ne duam të shkojmë në Hungari, por tani kufiri është mbyllur. Prandaj do të shkojmë në Kroaci, e deri në Slloveni për të siguruar kalimin në BE”, tha një refugjat sirian.

Qindra refugjatë kanë fjetur në kufirin me Hungarinë, pasi ky shtet pranon tashmë vetëm kërkesa zyrtare për azil.

Top Channel