Me 111 vota “pro” dhe asnjë “kundër”, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë kanë miratuar ligjin për prokurorin special. Ligji ka kaluar të gjitha fazat dhe është miratuar me procedurë të përshpejtuar vetëm disa orë pas arritjes së marrëveshjes midis katër partive kryesore në Shkup.

“Institucionet e Maqedonisë tani kanë para vetes një dokument që duhet ta zbatojnë me qëllim që Maqedonia sa më parë të del nga kjo situatë e mjegulluar. Marrëveshja e arritur midis katër partive kryesore do ta çoj vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, ku qytetarët do të jenë gjykatës për punën tonë”, deklaroi Ilija Dimovski, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ligji është mbështetur në Kuvend edhe nga deputetët e partive shqiptare.

“Në vitin 2015 pas gjithë asaj beteje për konsensualitet arrihet që përmes një forme ligjore të respektohet parimi i konsensualitetit, parimi i pajtimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për materien kaq të rëndësishme, përfshirë edhe prokurorin special”, u shpreh Artan Grupi, deputet i BDI-së.

“Nënshkrimi jonë në këtë marrëveshje ka ardhur si rezultat i garancive të forta ndërkombëtare për një proces zgjedhor të besueshëm dhe të pranueshëm. Vlerësojmë se edhe kjo marrëveshje nuk do të ketë asnjë vlerë pa eliminimin e mundësisë së manipulimit dhe falsifikimit të zgjedhjeve”, tha shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

Marrëveshjen e arritur mes katër partive politike e kanë përshëndetur Ambasada amerikane dhe zyra e BE-së në Shkup. Prokurori special do të ketë për detyrë të hetojë akuzat e opozitës maqedonase për përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në afera të ndryshme, që dolën nga skandali i përgjimeve.

Top Channel