Mou-gazetarit: Kërko në Google para se të bësh pyetje idiote

15/09/2015 00:00

Aktualisht, konferencat e Jose Mourinho-s janë më të bukura se loja që bën Chelsea në fushë. “Speciali” edhe njëherë ka qenë në qendër të vëmendjes me thumbimet e tij kundrejt rivalëve, por edhe me përgjigjet që iu ka dhënë gazetarëve.

I pyetur në rast se po i përsëritet “sindromi i sezonit të tretë”, ku pretendohet se portugezi nuk arrin të fitojë asgjë, trajneri i Chelsea-t i ka kërkuar gazetarit që të kërkojë në Google para se të bëjë pyetje idiote.

“Sezoni im i tretë te Porto? Nuk e kisha një të tillë. Nuk kisha sezon të tretë as tek Interi. Te Chelsea kam fitur FA Cup dhe Carling Cup si dhe ishim në gjysmëfinale të Champions-it. Në sezonin e tretë te Reali kam fituar Superkupën, humba në finalen e Kupës si dhe ishim në gjysmëfinale të Champions-it. Kështu që para se të bësh pyetje idiote kliko në Google”, u shpreh Mou.

Ai gjithashtu është pyetur nëse ndihet në presion, për shkak të nisjes së dobët në kampionat, mirëpo përgjigja e portugezit ka qenë e prerë dhe një goditje për rivalët.

“Pse disa trajnerë të tjerë të cilët nuk kanë gjë për 5, 6 apo 10 vite nuk janë në telashe dhe duhet të jem unë? Pse? Nuk jemi të lumtur, por ne e dimë se kush jemi, kampionët e Anglisë”, tha ai.  

Mou ka paralajmëruar se për ndeshjen kundër Macabi-t të mërkurën në mbrëmje do të bëjë disa ndryshime në skuadër, duke paralajmëruar deri dje të “paprekshmit” se mund t’iu rrezikohet vendi në formacion.

Top Channel