F1, FIA kërkon kufizim të kostove të furnizimit me motorë

15/09/2015 00:00

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit po mendon për vendosjen e një tavani në lidhje me kostot e skuadrave, në kontratat që lidhin me kompanitë furnizuese me motorë.

Sipas asaj që publikohet tek “Autosport”, skuadrat shpenzojnë rreth 15-20 milionë paund për motorët e rinj V6, ndërkohë që më parë, për ata V8 kostoja nuk shkonte më shumë se 7 milionë paund.

Grupi strategjik i Formula 1 zhvilloi një mbledhje, ku u diskutua për këtë çështje, e ku u përmendën edhe temat e motorëve njëvjeçarë, si dhe ata të rinjtë. Mësohet se, më vonë do të bëhet një analizë më e hollësishme, përpara se të përpilohet dosja që do t’i dorëzohet presidentit të FIA-s, Jean Todt.

Javën e kaluar, “Autosport” bëri të ditur se ka të ngjarë, që të bëhen disa ndryshime në rregullore, ku mendohet se skuadrat do të lejohen të furnizohen me motorë specifikë të quajtur “Current-1” gjatë sezonit.

Nëse këto ndryshime do të miratohen, atëherë Manor do të ketë mundësi që të pajiset me motorët specifikë Mercedes për vitin 2016, gjithnjë nëse bisedimet mes palëve do të jenë të frytshme, ndërkohë që e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Red Bullin, që tashmë ka nisur bisedimet me Ferrarin.

Top Channel