Skandali i FIFA-s, paralajmërohen të tjera arrestime

15/09/2015 00:00

Skandali i korrupsionit në FIFA thellohet akoma më shumë. Prokurorja e Përgjithshme amerikane Loreta Lynch dhe homologu i saj zviceran Mikael Lauber, në një konferencë për shtyp bënë të ditur se pritet të ketë arrestime të reja dhe duket se këtë radhë i përfshirë direkt në këtë histori është edhe vetë Sep Blatter, edhe pse askush prej tyre nuk e përmendën emrin  e tij.

Orët e fundit, media zvuicerane e përmendin kreun e FIFA në një tjetër skandal që ka të bëjë me dhënien e të drejtave televizive të botërorëve 2010 dhe 2014 për një çmim shumë herë më të ulët se vlera reale e tyre, gjë që ia komplikon jo pak pozitat Blatterit.

Prokuroria zvicerane aktualisht ka marrë nën hetim caktimin e Rusisë dhe Katarit për organizimin e botërorëve 2018 e 2022, ndërsa ajo amerikane po heton për të drejtat televizive dhe kontratat e marketingut, hetime këto që sipas Lynch e Lauber pritet të zgjasin për shumë kohë.

“Për vetë natyrën që kanë, këto hetime do të zgjasin për shumë kohë dhe ne nuk kemi arritur as gjysmën. Mund të themi se janë bërë kontrolle në Zvicër dhe janë gjetur prova të reja në lidhje me zotërimin e disa pasurive të patundshme në Alpet zvicerane. Në këtë pikë mund të them se investimet në pasuritë e patundshme jo pak herë janë bërë për të pastruar paratë. Aktualisht po shqyrtohen 121 llogari bankare nga Njesia Zvicerane e Inteligjencës për financat, MROS”, tha Lynch.

E gjithë kjo histori nisi në 27 majin e këtij viti, 2 ditë përpara Asamblesë së Përgjithshme të FIFA-s, ku prokuroria amerikane kërkoi arrestimin e 7 zyrtarëve të këtij institucioni me akuzën e mashtrimit financiar prej më shumë se 100 milionë dollarësh.

Top Channel