Reali dhe Barca, skuadrat më të shtrenjta

15/09/2015 00:00

Reali i Madridit dhe Barcelona janë skuadrat më të shtrenjta në arenën europiane.

Sipas një studimi të kryer nga “Transfermarkt”, dy klubet më prestigjoze spanjolle mbajnë dy vendet e para në këtë klasifikim të veçantë të bazuar në vlerën të gjithë lojtarëve në merkaton e transferimeve.

Klubi merenges është ai që qëndron në krye të kësaj renditje me një vlerë prej 715.5 milionë Euro, ndërkohë që vlera e futbollistëve të skuadrës katalanase arrin në 657.5 milionë Euro.

Në vendin e tretë, i shkëputur ndjeshëm nga 2 gjigantët e La Ligës, ndodhet Bajerni i Mynihut, futbollistët e të cilit sipas “Transfermarkt” kanë një vlerë totale prej 599 milionë Euro duke lënë pas Çelsin e Hoze Murinjos me 531.7 milionë.

Edhe në aspektin individual, janë Reali i Madridit dhe Barcelona që dominojnë. Në 6 vendet e para në klasifikimin personal për lojtarët më të shtrenjtë qëndrojnë pikërisht ata që luajnë në këto dy ekipe. Ronaldo dhe Messi padyshim janë diktatorët me një vlerë në merkato prej 120 milionë Euro secili.
Pas tyre vijnë Garet Bale, Luis Suarez, Nejmar dhe James Rodrigez, të gjithë të vlerësuar me 80 milionë Euro. Mes dhjetë lojtarëve më të shtrenjtë, sipas “Transfermarkt” përfshihen edhe Hazard, Aguero dhe Sanchez. 

Top Channel