Europiani i basketbollit, plotësohet kuadri i çerekfinaleve

14/09/2015 00:00

Plotësohet kuadri i çerekfinaleve në Kampionatin Europian të Basketbollit për meshkuj. Serbia, Lituania, Italia dhe Republika Çeke janë ekipet e tjera që vazhdojnë rrugën drejt titullit kampion.

Lituania, skuadra nënkampione, eliminoi jo pa vështirësi Gjeorgjinë me rezultatin  85-81. Dy periodat e para përfunduan me avantazhin e lehtë të gjeorgjianëve 40-37. Ekuilibri vijoi edhe në periodën e tretë të ndeshjes, që u mbyll me barazimin 22-22. Lituania e bëri diferencën vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes falë basketbollistit të Realit të Madridit, Jonas Maciulis, i cili arriti të shënojë nga distanca e 3 pikëve  për ta çuar në +4 diferencën e pikëve me gjeorgjianët, duke mundësuar edhe suksesin e skuadrës së tij.

Në çerekfinale, Lituania do të luajë me Italinë, me këtë të fundit që mundi Izraelin me rezultatin e thellë 82-52. Italia e mbylli pjesën e parë të takimit me rezultatin 50-40, por humbi shërbimin e Andrea Barnjanit për arsye dëmtimi. Megjithatë, ky problem nuk i pengoi “axurrët” të dominojnë sfidën me izraelitët. Ky dominim u bë i dukshëm sidomos në periodën e tretë të takimit, që Italia e fitoi 28-9, duke mbyllur praktikisht të gjitha llogaritë e kësaj sfide.

Serbia regjistroi një tjetër fitore në Eurobasket. Skuadra ballkanase mundi Finlandën 94-81, duke siguruar një vend mes 8 më të mirave të këtij aktiviteti. Kundërshtarja e radhës e skuadrës serbe në çerekfinale do të jetë Republika Çeke, me këtë të fundit që shkatërroi Kroacinë me rezultatin 80-59.

Top Channel