Superiorja, Partizani mposht Vllazninë, Flamurtari-Laçi përfundon pa gola

13/09/2015 18:05

Partizani përmbysi rezultatin dhe mposhti 1-2 Vllazninë, në një ndeshje që më shumë sesa futbolli i luajtur protagonist u bë gjyqtari kryesor, Cjapi me vendimet e tij.

Loja e hapur në fillimin e ndeshjes bëri që të dyja skuadrat të sulmonin portat respektive. Të kuqtë shpërdoruan disa raste njëra pas tjetrës me Sukajn, Plakun dhe Mazrekajn, ndërkohë që Vllaznia në rastin e parë vërtetë të rrezikshëm kaloi në avantazh me Krymin në të 29-ën.

Pas këtij momenti,  kryesori Cjapi e fali futbollistin e partizanit Kalari duke e ndëshkuar vetëm me të verdhë dhe disa minuta më vonë refuzoi të jepte një 11-metërsh për Vllazninë.

Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes ishte ai në minutën e 43, kur Partizani fitoi një 11-metërsh disi të dyshimtë. Arbri u ndëshkua me të kuq, ndërkohë që futbollistët shkodranë kërcënuan me braktisjen e ndeshjes, por inati i tyre zgjati vetëm pak minuta. Pas rikthimit në fushë, loja vazhdoi dhe Sukaj barazoi me 11-metërsh, goli i 3 për të me fanellën e Partizanit.

Epërsia numerike i dha mundësinë të kuqve të Starovës të ishin më superior në pjesën e dytë. Ishte italiani Morini ai që në minutat e fundit shënoi golin e fitores për kryeqytetasit, por jo për trajnerin Starova, i cili vazhdon të jetë i pakënaqur me disa nga futbollistët e tij.

Flamurtari mori pikën e parë dhe vazhdon të zhgënjejë edhe pas javës së 3. Vlonjatët barazuan pa gola me Laçin, skuadër kjo që mori barazimin e tretë në po kaq javë kampionat.

Top Channel