Tjetër tragjedi pranë ishujve grekë, mbytet varka me 120 emigrantë

13/09/2015 16:40

Të paktën 34 emigrantë humbën jetën ditën e diel, pasi një varkë me rreth 120 persona është mbytur pranë brigjeve të ishullit grek, Farmakonis.

Gati gjysma e viktimave nga tragjedia e orëve të fundit me refugjatë që vijnë nga brigjet turke drejt tokës greke janë fëmijë.  Prej orëve të para të mëngjesit të së dielës grupet e shpëtimit kanë mundur të shpëtojnë 68 prej tyre, rreth 25 kanë arritur me not në brigjet e ishullit Farmakonisi, ndërsa 34 janë mbytur. Midis viktimave janë katër foshnja të mitura dhe dhjetë fëmijë. Disa prej tyre janë gjetur në hambarin e varkës së mbytur.

Pamjet me refugjatët që mbajnë në kamerdare fëmijë të vegjël dhe notojnë drejt tokës greke vazhdojnë përsëri të bëjnë xhiron e botës. Ndërsa vazhdojnë kërkimet për të gjetur edhe persona të tjerë që konsiderohen të humbur, pritet që numri i viktimave të rritet.

Ndërkohë që vala e refugjatëve që vijnë nga brigjet turke drejt ishujve grekë është e pandalshme, kryeministrja e qeverisë së përkohshme të Greqisë, Vassiliki Thanou, që ka vizituar ishullin e Lesbos, ka deklaruar krijimin e dy qendrave të pritjes për qindra emigrantë në Athinë dhe Selanik.
 
Në një mbledhje të kabinetit, ajo u është përgjigjur edhe zërave të veçuar në Europë që kritikojnë Greqinë për sa i përket kufijve të saj.

“Gjithë atyre që kanë sigurinë e të qënit fqinj me partnerë të tjerë europianë në zemër të Europës, ju rekomandojmë që të marrin në konsideratë përgjegjësinë e të ruajturit të një vije bregdetare të kufijve të Europes  me gjatësi 16.000 kilometra. Ne u rekomandojmë që të marrin në konsideratë nëse Europa e vlerave dhe e se ardhmes mund të rindërtohet duke ngritur mure”, ka deklaruar kryeministrja greke.

Pas largimit të më shumë se 20.000 refugjatëve nga Lesbos, me përpjekjet e qeverisë provizore, situata në ishullin grek, që ishte pothuajse në gjendje të jashtëzakonshme, është përmirësuar disi.

Top Channel