Analistët në Serbi thonë se shteti duhet të ketë një prani më të madhe ekonomike në Luginën e Preshevës, në mënyrë që të mos ketë tensione.

Por në Presheve përçarja e shqiptarëve dhe miratimi i themelimit të Asciacionit të Komunave Shqiptare në një gjendje jo aq të favorshme shihet ndryshe.

Një nga deputetët shqiptarë, Shaip Kamberi thotë se shqiptarëve u nevojiten institucione rajonale për realizimin e të drejtave të tyre.

Por partia e tij, që bojkotoj pjesëmarrjen, thotë se duhen ndjekur procedurat dhe se veprimet duhet të bëhen në mënyrë të matur.

“Përderisa nuk është i qartë qëndrimi i Këshillit Nacional, nëse ai do të jetë pjesë e asociacionit, atëherë duket që çështja është shtruar në mënyrë joserioze ndaj dhe ne kemi vendosur të jemi neutralë rreth saj”, deklaron Kamberi.

Ndërsa Shkodran Ismaili, politolog nga Presheva, thotë se ky është vetëm një veprim moral më shumë sesa mund të ketë një efekt real.

“Unë nuk pres që asociacioni të ketë fuqi juridike, por një fuqi politike apo morale ndaj popullatës shqiptare. Fuqi juridike nuk do të ketë sepse nuk është askush që mund ta veshë atë me kompetenca ekzekutive”, nënvizon Ismaili.

Shqiptarët i shohin deklaratat e qeverisë serbe si pjesë të fushatave politike. Megjithatë, edhe nëse nuk prodhon asgjë tjetër, ky asociacion ka tërhequr edhe një herë vëmendjen nga Presheva.

Top Channel