Reali shkatërron Espanjolin, “manita” e Ronaldos

12/09/2015 00:00

Reali i Madridit ka shkatërruar 6-0 skuadrën e Espanjollit dhe protagonisti absolut i këtij takimi ishte Cristiano Ronaldo.

Portugezi shënoi pesë nga goleada e “Los Blancos”. Sinjalin e goleadës e dha që në minutën e 7, kur çon në rrjetë një top të marrë me herët nga Luka Modriç.

10 minuta më vonë, Ronaldo dyfishon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Pa përfunduar ende gëzimi i golit të dytë, portugezi gjen sërish rrugën e rrjetës, këtë herë pas një asisti të marrë nga Gareth Bale.

Benzema do të prishte serinë e golave të Ronaldos në minutën e 28 duke shënuar golin e katërt për madrilenët. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e takimit.

Me 4 gola diferencë, Benitez gjen kohë edhe për Kovaçiç. Kroati i blerë këtë verë nga skuadra e Interit i zuri vendit patriotit të tij, Luka Modriç në minutën e 56. Pesë minuta nga ky zëvendësim, Ronaldo gjen golin e katërt personal dhe të pestin për skuadrën, e çuditërisht sërish pas një topi të marrë nga Gareth Bale, uellsiani i kritikuar vazhdimisht për egoizëm.

Në minutën e 81, Ronaldo vulos gjithçka, duke shënuar edhe golin e gjashtë.

Në 3 javë kampionat, madrilenët kanë grumbulluar 7 pikë falë dy fitoreve dhe një barazimi, ndërkohë që ende nuk kanë pësuar asnjë gol.

Top Channel