US Open, finale italiane për femra

12/09/2015 00:00

Italia pushton US Open. Në finalen e ‘Flushing Meadows’ do të jenë pikërisht Roberta Vinci dhe Flavia Penetta, që do të diskutojnë çështjen e titullit, gjë që nuk imagjinohej nga askush në fillim të këtij turneu.

Ishte pikërisht Vinci ajo që shkaktoi surprizën e madhe, pasi mundi në gjysmëfinale Serena Williams-in, duke ndërprerë serinë e 33 fitoreve radhazi në turnetë madhorë të tenisit për amerikanen.

U duk se kjo ndeshje do të ishte një formalitet për numrin 1 të botës, teksa fitoi setin e parë me lehtësi 6-2. Por, Vinci bëri përmbysjen e madhe, duke fituar dy setet e tjerë 6-4;6-4.

Krejtësisht e kundërta ndodhi me finalisten tjetër, Flavia Pennetta. Tenistja nga Brindisi i mbylli shumë shpejt llogaritë me Simona Halep, duke e mposhtur rumunen 2-0 në vetëm 59 minuta lojë. Seti i parë nuk pati histori dhe Pennetta e mbylli atë 6-1. Në setin e dytë u pa një lloj reagimi nga Halep, që mori kryesimin në 3-1, por Pennetta fitoi 5 game radhazi për ta mbyllur atë 6-3.

Në kampin e meshkujve, do të jenë Novak Djokovic dhe Roger Federer ata që do të diskutojnë titullin në US Open. Tenisti serb mundi në gjysmëfinale, fituesin e këtij turneu vitin e kaluar Marin Cilic, me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje ku në fushën e lojës u pa vetëm një tenist, Novak Djokovic, i cili e dominoi nga fillimi deri në fund sfidën me sete 6-0;6-1;6-2.

Në gjysmëfinalen tjetër, Roger Federer që kërkon titullin e tij të 18 Grand Slam, fitoi në derbin zviceran me Stanislav Vavrinka 3-0. Numri 2 i renditjes botërore ishte superior ndaj kundërshtarit të tij, duke i fituar setet 6-4;6-3;6-1.

Top Channel