La Liga, Pique: Pashë Real-Juve me fanelën e Buffonit të veshur

11/09/2015 00:00

“Kisha deklaruar se doja të shihja një ‘El Clasico’ në finalen e Champions League, por në realitet kam parë ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Juventusit duke mbajtur të veshur fanelën e Buffonit”.

Kjo është deklarata në formë batute e mbrojtësit të Barcelonës, Gerard Pique, i cili rithekson se atij nuk mund t’ia heqë të drejtën për të qeshur askush, as për t’u argëtuar dhe për t’u shprehur. E nëse kjo deklaratë mund të konsiderohet si shaka e hidhur ndaj rivalëve të përjetshëm të Realit të Madridit.

Të mërkurën pasdite, Barcelona kishte njoftuar se të enjten do të zhvillonte seancës e zakonshme me dyer të mbyllura, si dhe pa konferencë për shtyp. Por, vetëm pak më vonë njoftimi u korrigjua, duke theksuar se Pique do të shfaqej në sallën e shtypit. Media, e elektrizuar si gjithmonë, sepse nga Katalunja nuk flet njeri prej gati një jave.

Vërshëllimat ndaj Pique në Oviedo, kur luante kombëtarja e Spanjës, mbrojtja e ardhur prej shokëve të skuadrës dhe deklarata e Ramos: Fjalët e fundit të thëna nga Pique nuk ndihmojnë në qetësimin e situatës. Ndoshta e vërshëllejnë sepse është katalanas dhe ka mbështetur referendumin për pavarësi nga Mbretëria e Spanjës. Por edhe sepse ka vënë në lojë Realin e Madridit. Gerard ka dashur të flasë dhe e ka lidhur gjithçka me aspektin sportiv dhe jo atë politik.

“Përpara ndeshjes Atletico-Real të shkurtit të kaluar, Iker Casillas dhe Sara Carbonero më kishin sjellë një tufë me lule për lindjen e fëmijës sim, Sasha. Një xhest shumë i bukur. Iu përgjigja Ikerit duke e falënderuar e më pas i lëshova sfidën: shpresoj që nesër t’i bënin të paktën 4 gola. Ishte fantastike që shkoi ashtu siç kisha dashur, por ne e morëm me të qeshur dhe me Ikerin kam pasur e do të vazhdoj të kem një marrëdhënie të mirë”, tha mbrojtësi katalanas.

Top Channel