Edhe çorapet thahen në zjarr për të disatën herë, për t’u veshur sërish. Në një temperaturë të ulët e me pika shiu, që e bën atmosferën të duket sikur gjithçka ka lotë. Në një shtegtim me pengesa, të humbur, pa adresa e pa shtëpi, në pritje të një copë letre që rilind sërish emra e identitete.

Moti jo i mirë ka vështirësuar punën me mbi 4 mijë refugjatë, që kanë arritur sërish në Preshevë, të cilët sa vijnë e i shtojnë radhët. Për të marrë një dokument dhe për të vazhduar më thellë drejt Europës, drejt së panjohurës, refugjatët kanë mbushur sërish këtë qytet, ku jetojnë shqiptarët në jug të Serbisë.

Një studente e anglishtes nga Siria thotë se, kanë dy ditë që presin për një copë letër.

“Është e pamundur të marrin këtë dokument. Është shumë ftohtë dhe jemi duke ngrirë këtu, pasi ne kemi ardhur nga një vend ku ishte shumë vapë dhe nuk kemi rroba. Radha këtu është nga 1 deri në 2 mijë vetë për të marrë një dokument”, shprehet ajo.

Në mbrëmje, ata thonë se marrin si përgjigje vetëm refuzimin, ndaj dhe e vetmja zgjidhje është pritja.

“Ne kemi ikur nga Siria prej luftës dhe kemi ardhur këtu në këmbë. Jemi ende këtu. Jemi mbytur në ujë dhe nuk na lënë të ikim pa dokumente. Duam vetëm dokumentin që do të na hapë dyert për të ikur në Europë”, thotë një tjetër refugjat sirian.

Të tjerë me familje, banorët e Preshevës i kanë futur në shtëpitë e tyre në ndërtim.

“Jemi nisur për në Gjermani dhe tani jemi strehuar këtu, për të shpëtuar nga shiu. Është shumë keq dhe shumë ftohtë këtu”, shprehet një tjetër refugjat.

Ata thonë se rrobat e tyre nuk mund të thahen dhe se fëmijët mund të jenë sëmurë, por edhe te mjekët ka radhë të gjata.

Top Channel