F1, mund të kthehet gara e Turqisë

11/09/2015 13:15

Gara e Turqisë ka të ngjarë që të kthehet në kalendarin e Botërorit të Formulës 1 në vitin 2016. Sipas asaj që publikohet nga agjencia e lajmeve turke Anadollu, bosi i këtij kampionati, Bernie Ecclestone zhvilloi në Londër një takim me presidentin e Intercity që administron pistën e Stambollit, Vural Ak, në lidhje me këtë çështje dhe Ecclestone duket se ka rënë dakord për një rikthim të tillë.

Hapi i fundit që duhet ndërmarrë në këtë pikë është miratimi nga ana e qeverisë turke, që ka shumë të ngjarë që të ndodhë pasi gara e Formulës 1 në Stamboll ka një rëndësi të madhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, mësohet se Ecclestone i ka dhënë qeverisë turke një afat kohor prej tre muajsh, që do të thotë se vendimi duhet marrë brenda muajit dhjetor, kur përpilohet edhe kalendari për Botërorin e ardhshëm. Gjithsesi, kjo nuk e pengon Ak të shprehet optimist, duke theksuar se ajo që mungon në këtë pikë është vetëm firma në kontratë. Çmimi i madh i Turqisë u bë pjesë e Botërorit të Formulës 1 në vitin 2005 dhe ishte në kalendarin e këtij kampionati deri në vitin 2011. Ai që fitoi për herë të fundit në Stamboll ishte Sebastian Vettel, i cili në atë kohë garonte me Red Bull.

Top Channel