Mihajlovic: Privilegj të jem në derbin e Milanos

11/09/2015 00:00

Derbi mes Interit dhe Milanit që do të luhet këtë të dielë ka brenda tij edhe një minisfidë: atë mes trajnerëve respektivë Roberto Mancini dhe Sinisa Mihajlovic, dikur bashkëpunëtorë për një kohë të gjatë te skuadra zikaltër. Tekniku i kuqezinjve, në prag të kësaj përballjeje vendosi të publikojë një letër te e përditshmja “La Gazzetta Dello Sport”, duke theksuar se për të është një privilegj që të jetë në këtë derbi të Milanos.

“I jam gjithnjë mirënjohës atij që më ka dhënë mundësinë për të shfaqur të gjitha cilësitë e mia si person dhe si profesionist”, lexohet në letrën e Mihajlovic.

“Jam me fat për atë që kam provuar dhe kam realizuar, për ëndrrat e bëra realitet. Një pjesë të mirë të këtyre kënaqësive i kam përjetuar në Milano ku mbylla karrierën time si futbollist dhe nisa atë si trajner. Të jesh në këtë derbi, fillimisht si lojtar e më pas si trajner, është një privilegj i madh. Lojtarëve të mi përpara ndeshjes do t’u them: bëjmë këtë profesion për të jetuar mbrëmje të tilla në një stadium si San Siro përpara një tifozerie të zjarrtë si ajo e Milanit dhe Interit”, shton më tej Mihajlovic.

Trajneri serb nuk la pa përmendur as krizën e emigrantëve që ka pushtuar kontinentin evropian prej kohësh. Një pjesë e mirë e klubeve sportive kanë vendosur të japin kontributin e tyre në këtë situatë dhe trajneri i Milanit nuk dëshiron të jetë një përjashtim.

“E di që në Milano ka shoqata që ndihmojnë persona që po përjetojnë dramën e ditëve të fundit. Ne do të bëjmë zgjedhjen tonë. Është rasti që të japim një ndihmë më shumë në mënyrë publike, pavarësisht asaj që bëjmë privatisht. Kush fiton derbin paguan, pres përgjigjen e Mancinit”, lexohet në letrën e Mancinit.

Top Channel