Polici shqiptar nga Presheva që mori në krah fëmijën sirian

10/09/2015 19:00

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, ka pranuar në një takim policin shqiptar nga Presheva që u bë i famshëm për kujdesin e treguar ndaj një fëmije sirian.

Polici Rexhep Arifi, tha se ishte në një moment lodhjeje pas orëve të gjata kur një familje siriane arriti për të shkuar në kamp dhe pasi nëna e tij nuk mund të ecte ai e mori Amirin nga Siria në krahë.

“Ka qenë një familje që vinte tek strehimorja. Gruaja ishte e lodhur dhe unë e mora fëmijën që po qante dhe fillova të luaja me të dhe ai u qetësua. Kështu i trajtojmë çdo ditë refugjatët”, tha efektivi shqiptar i policisë serbe, Rexhep Arifi.
 
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm i Serbisë tha se policia ka treguar humanizëm dhe për të nuk është me rëndësi çfarë kombësie kanë policët, por kjo është një histori suksesi.

“Projekti i policisë shumëetnike duket se ka dhënë rezultate. Ne kemi folur sot se kush është njeri dhe kush jo. Për mua nuk ekziston dallim mes policëve qofshin ata hungarezë, shqiptarë apo serbë. Besoj se njerëzit e tillë meritojnë mirënjohje, vëmendje dhe respekt dhe për ne kjo është shumë domethënëse”, tha Stefanoviç.
 
Ministri ka premtuar se do të ketë shpërblim për policinë, ndërsa tha se është koha të respektohen njerëzit dhe gjestet e tilla.

Top Channel