Derbi zviceran në US Open

10/09/2015 00:00

Turneu i US Open ka rezervuar një derbi zviceran në fazën gjysmëfinale të tij. Roger Federer dhe Stanislav Wawrinka do të përballen me njëri-tjetrin për një vend në finalen e Grand Slam-it të fundit sezonal. Federer, numri 2 i renditjes botërore, eliminoi në çerekfinale francezin Richard Gasquet. Tenisti 34-vjeçar e dominoi totalisht këtë përballje me Gasquet, të cilin e mundi 3-0 me sete (6-3, 6-3 dhe 6-1) në vetëm 87 minuta lojë.

Me po kaq lehtësi fitoi edhe Stanislav Wawrinka ndaj Kevin Anderson. Fituesi i Roland Garros këtë vit e mundi afrikanojugorin me rezultatin 3-0. Sfida nuk pati histori me zviceranin që e dominoi të gjithë ndeshjen duke i fituar setet 6-4, 6-4 dhe 6-0, në vetëm 1 orë e 47 minuta lojë.

Për femra, Simona Halep u kualifikua për në gjysmëfinale të US Open pasi eliminoi Viktoria Azarenkën. Tenistja rumune që do të tentojë të fitojë titullin e saj të parë Grand Slam në karrierë e mbylli sfidën me bjellorusen 2-1 me sete (6-3, 4-6 dhe 6-4). Kundërsharja e Halep në gjysmëfinalen e US Open do të jetë Flavia Penetta, e cila mposhti çeken Petra Kvitova me rezultatin 2-1. Penetta e humbi setin e parë 4-6, por fitoi dy të tjerët 6-4 dhe 6-2.

Top Channel