Superiorja, Skënderbeu fiton minimalisht në Pukë ndaj Vllaznisë

09/09/2015 18:00

Kampionët e Skënderbeut e kanë mposhtur minimalisht 0-1 Vllazninë në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, e cila ishte shtyrë për këtë të mërkurë për shkak të impenjimeve që korçarët patën në Champions League.

Një gol i minutës së 16 nga Arabit i ka dhënë 3 pikët Skënderbeut në stadiumin “Ismail Xhemali” të qytetit të Pukës ndaj shkodranëve, të cilëve do t’u duhet që për një kohë të pacaktuar të luajnë jashtë fushës së tyre, për shkak të rikonstruksionit të “Loro Boriçit”.

Skënderbeu, i cili bëri historinë në kupat e Europës duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Europa League, zbriti në fushën e lojës me formacionin e tij më të mirë, madje edhe me shkodranin Salihi, i cili ishte i pafat në këtë takim. Shkodrani u largua nga fusha e lojës në minutën e 18 për arsye dëmtimi.

Korçarët e dominuan takimin, por pavarësisht rasteve të krijuara, goli i Arapit ishte i vetmi në këtë ndeshje.

Kjo ishte fitorja e dytë për Skënderbeun, ndërsa në javën e tretë të Superiores, ditën e shtunë, do të luajnë sërish po në këtë stadium, por këtë herë ndaj Tërbunit vendas. Vllaznia do të ndeshet ndaj Partizanit.

Formacioni i Vllaznisë: Dragojeviç, Arbri, Hakaj, Cicmili, Marku, Krymi, Haxhibuliç, Bardulla, Shtubina, Ahmeti, Çinari. Trajner: L. Zmijani.

Formacioni i Skënderbeut: Shehi, Ademir, Jashanica, Arapi, Abazi, Progni, Lilaj, Nimaga, Berisha, Salihi, Olainka. Trajner: M. Josa.

Gjyqtarë: A. Beqiri, R. Çokaj, E. Pashaj (Tiranë)

Top Channel